De Biazi: Dua të bëj të pamundurën me Shqipërinë
Trajneri italian i kombëtares kuqezi, Xhiani De Biazi, në një rrëfim të gjatë e shterrues për “Neue Burcher Zeitung”
I lodhur nga eksperiencat me klubet në Seria A, Xhiani De Biazi ka nisur në Shqipëri një karrierë të re si trajner kombëtareje. Atje, ai lufton me shumë vështirësi, por e ka nisur me sukses, siç tregonfitorja 3-1 kundër Qipros.
Shqipëria e ka vendosur fatin e ndeshjes kundër Qipros në fund. Sa e vështirë ka qenë fillimi i eliminatoret të Kupës së Botës për ju?
Ne e dinim se ndeshja e parë e këtyre eliminatoreve, edhe pse luanim në stadiumin tonë, do të ishte e vështirë. Megjithatë, kemi bërë shumë për fitoren, kemi luajtur në mënyrë të vendosur, dhe e kemi merituar suksesin ndaj Qipros.
Para ndeshjes së të martës luani kundër një kundërshtari, që konsiderohet favorit në grup. Ndaj Zvicrës, keni besim…
Ndryshe nga ne, Zvicra mori një fitore shumë të rëndësishme, kundër një kundërshtari të fortë dhe të suksesshëm. Për të fituar në Slloveni, duhet të luash shumë mirë. Dhe Zvicra e bëri këtë. Sa u takon favoritëve në grupin tonë, përveç Zvicrës, unë mendoj se edhe Sllovenia me Norvegjinë janë në rregull. Nëse Shqipëria renditet e katërta në këtë grup, do të ishte një arritje e mirë.
Si mund të na e përshkruani jetën tuaj si trajner i Shqipërisë?
Me pesë anëtarë të stafit tim, të gjithë italianë, jam tërë kohës në veprim. Bëjmë shumë udhëtime nëpër Evropë, sepse përpiqemi t’i shikojmë të gjithë lojtarët tanë nga afër. Imagjinoni, lojtarët e kombëtares shqiptare janë të shëprndarë në disa vende të botës, që nga Italia ime, në Gjermani, Suedi, Ukrainë, Zvicër dhe madje, edhe në Iran e Azerbajxhan. Kjo gjeografi e lojtarëve tanë është disi e shtrenjtë dhe e komplikuar për t’u kontrolluar. Unë jetoj në Conegliano, në verilindje të Italisë, por udhëtoj shpesh drejt Shqipërisë, sepse kështu e kam të parashikuar në kontratën e nënshkruar me Federatën Shqiptare të Futbollit. Jam shpesh në Shqipëri ose për të parë ndeshje të kampionatit vendas, ose për të përcjellë sfidat kualifikuese për “Europa League” dhe “Champions League”. Të tria klubet e përfshira në këto gara, Flamurtari, Tirana dhe Skënderbeu janë eliminuar të gjitha, që në raundin e parë.
Ky realitet nuk është vetëm për futbollin shqiptar…
Ky është realiteti. Kultura shqiptare e futbollit ka nevojë të zgjerohet më tej. Si për organizimin, disiplinën dhe taktikën, shqiptarët mund të mësojnë shumë nga italianët. Me stafin tim, unë kam kryer trajnim edhe për trajnerët shqiptarë.
Kështu, ju duhet të bëni një shumë punë themelore?
Lëvizja është relativisht e re, por ne jemi duke u përpjekur për ta nxitur atë. Shumë shqiptarë kanë emigruar në vitet nëntëdhjetë, mjaft talente të këtij vendi janë lindur e janë rritur si futbollistë jashtë, ndërsa tani kanë shfaqur interes të aktivizohen me ekipin kombëtar. Shumë zgjedhin të luajnë për “shtëpinë” e tyre të re, sikurse është rasti i Xhakës, Behramit, Shaqirit etj, me Zvicrën.
Sa të vështirë e bën kjo punën tuaj?
Ne kemi futbollistët shumë të mirë, që luajnë për kombëtare të tjera. Unë mendoj se ky është një turp, të pranosh të luash për dikë tjetër dhe jo për kombin tënd. Sidoqoftë, kjo mbetet në zgjedhje personale e secilit dhe s’kam pse ta komentoj më gjatë.
Nga Ballkani gjithmonë kanë dalë dhe vijojnë të dalin lojtarë shumë të mirë. Pse ndodh kjo, sipas jush?
Talentet e jashtëzakonshme në futboll shpesh vijnë nga rajonet e varfra. Pse? Sepse kalojnë një kohë të madhe vetëm me topin, veprimtari që kushton pak dhe jep shumë argëtim. Talente ka edhe në kombëtaren tonë, e cila ka një moshë mesatare të ulët, por mund t’i gjesh edhe në kampionatin shqiptar të futbollit. Ky i fundit është i një cilësie të ulët. Njerëzit janë të çmendur për Seria A të Italisë, ndërsa kampionati vendës ndiqet rrallë nga tifozët. Për ekipin kombëtar ndryshon krejtësisht puna, sepse në këtë rast shqiptarët tregojnë shumë pasion. Ndoshta një e treta e stadiumit të Luzernit, në ndeshjen kundër Zvicrës, do të mbushet nga tifozët tanë. Madje ata do të bëjë tifo më shumë se homologët e vet zviceranë.
Çfarë vështirësish parasheh në prag të ndeshjes kualifikuese me Zvicrën?
Edhe pse në momente të ndryshme ndeshja mund të jetë e balancuar, diferencat do të ndihen gjatë gjithë kohëzgjatjes së saj në cilësi dhe aftësi.
Çfarë i druheni në lojën e kombëtares shqiptare?
Disiplinës taktike. Lojtarët tanë mund të tejkalohen nga entuziasmi, ndaj më duhet shumë punë për t’i frenuar në këtë drejtim. Në këtë aspekt ne mund të bëjmë përparim, duke ruajtur shpirtin e tyre luftarak dhe duke i disiplinuar ata.
Si e vlerësoni punën e zviceranëve me të rinjtë?
Jo rastësisht, Zvicra ka lojtarë shumë të mirë, ndaj ka luksin të bëjë edhe zgjedhje për kombëtaren. Pa organizim, në futboll nuk mund të shkosh askund. Zviceranët janë zviceranë, tepër të organizuar, dhe për këtë arsye, edhe në këtë fushë të jetës, kanë bërë përparime të mëdha.
Ky model është i zbatueshëm edhe për një vend si Shqipëria?
Atje mungon infrastruktura. Stadumet janë të tmerrshme. Stadiumi kombëtar është nga të dyzetat. Në Zvicër, situata në këtë drejtim është mjaft e ndryshme.
Çfarë objektivi mund të arrini me kombëtaren shqiptare?
Asnjëherë nuk duhet të heqim dorë, ndaj duhet të besojnë në një ëndërr. Kur mora përsipër drejtimin e Modenës në Seria C1, ajo ishte në vendin e fundit. Ne e shpëtuam veten dhe një vit më vonë shkuam në Seria B, pastaj vitin e ardhshëm u ngjitëm në Seria A. Edhe tani, me Shqipërinë, dua të bëj të pamundurën. Ndonjëherë kjo ndodh!
Pse e bëtë kalimin nga trajner i një klubi në Itali te trajneri i një kombëtareje në Shqipëri?
Ky është hapi im i parë në drejtimin e një kombëtareje, megjithatë thelbi i punës nuk ndryshon shumë. Unë dua të jem i angazhuar me këtë profesion të paktën edhe në dhjetë vitet e ardhshme. Drejtimi i kombëtares është diçka midis trajnerit dhe menaxherit. Unë gjithmonë e kam pasur këtë ambicie në fokus. E kisha vendosur të drejtoja një kombëtare diku dhe mundësia m’u krijua me Shqipërinë. Karrierën time si trajner e fillova në Seria C2. Megjithatë, unë e bëra këtë profesion edhe në Seria A, po e vazhdoj edhe me një kombëtare. Ky është një cikël profesional.
Sa e vështirë është jeta e trajnerit në Itali?
Të stërvitësh për mua është gjëja më e lehtë në botë. Gjëja e vështirë është të mbijetosh në një mjedis, në të cilin kanë për të lëvizur shumë njerëz, që s’i lidh asgjë me sportin e futbollit.
Kë nënkuptoni në këtë rast?
Menaxherët kanë tregun e futbollit nën kontroll, ata vendosin mbi “jetën dhe vdekjen” e lojtarëve e të trajnerëve. Unë kurrë nuk kisha një menaxher.
Çfarë do të thotë sot të jesh një trajner futbolli?
Ky është një bast të barabartësh. Një flet për “projekte”, por që mund të zgjasin vetëm nga një fundjavë në një tjetër. Nëse humbet dy herë radhazi, je i mbaruar. Nisur nga kjo, disa herë kam menduar të qëndroj larg nga futbolli, por ç’e do se nuk e bëj dot. Në këtë profesion më pëlqen thjeshtësia, të qënit i pastër me lojtarët dhe bashkëpunëtorët. Unë dua të jem i tillë, e kam dëshmuar gjithnjë në punën time dhe madje kam paguar për të.
A është ky rasti në Shqipëri?
Kalimi nga Serie A për të marrë drejtimin e kombëtares së Shqipërisë u bë pas një vlerësimi të nevojshëm të gjithckaje. Edhe në Spanjë, me Levanten, kam përjetuar rregulla dhe një qëndrim të ndryshëm në drejtim të trajnerit.
Cila ka qenë përvoja juaj si trajner i Xhemalit në Torino dhe Inlerit tek Udineze?
Të dy janë lojtarë fantastikë. Xhemali kishte ardhur nga Bolton në Torino. Inler ka gjithçka: fizikun, cilësinë, saktësinë. Ai flet pak, por bën shumë në fushën e lojës. Si kapiten i ekipit kombëtar zvicerian, ai tani ka më shumë besim. Patjetër, është e ardhmja e kombëtares zvicerane.
Motivues dhe me përvojë
56-vjeçari Xhiani De Biazi ishte në dhjetor të vitit të kaluar në Tiranë, teksa vendosi përfundimisht të bëhej trajneri i ekipit kombëtar shqiptar. Në fillim të karrierës së tij profesionale ka vepruar si një talent i jashtëzakonshëm. Në vitin 1975, vetëm 19-vjeç, ishte mesfushor i Interit, pastaj kaloi për karrierë të mëtejshme në provincë, duke luajtur për dhjetë vjet me Peskarën, Breshian, Palermon dhe Vicensën, në Seria A dhe B. Si trajner u bë i njohur me Modenën, të cilën e udhëhoqi në dy vjet nga Seria C1 në ligën më të lartë. Edhe me Torinon u gradua në elitë. Si trajner i Torinos, Breshias dhe Udinezes u shkarkua disa herë.
“De Biazi është një motivues me mentalitet fituesi,” – tha Gökhan Inler, i cili luajti nën drejtimin e trajnerit italian tek Udineze.
De Biazi jeton në shtëpinë e tij në veri të Italisë dhe punon si ekspert i Ligës së Kampionëve në grupin mediatik televiziv “Mediaset” të Silvio Berluskonit. Me Federatën Shqiptare të Futbollit ai ka një kontratë deri në vitin 2013.
Kapiteni Cana: Nuk luajmë për hakmarrje
Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, nuk e cilëson ndeshjen në Zvicër si një hakmarrje ndaj lojtarëve kosovarë që nuk kanë zgjedhur fanellën kuqezi. Në një bisedë për “Panorama Sport”, pas stërvitjes së djeshme në Durrës, lideri i përfaqësueses vlerësoi kundërshtarin dhe theksoi se Shqipëria do të bëjë gjithçka për të mos dalë pa pikë. “Zvicra është një skuadër e një niveli të lartë, e cila ka në përbërje lojtarë cilësorë dhe me shumë eksperiencë. E kemi të qartë që nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, por për 90 minuta mund të ndodhë gjithçka. Varet se si do të shkojë loja, edhe pse me një skuadër si Zvicra nuk mund të bëhet asnjë parashikim. Ne do përpiqemi të luajmë shumë të kujdesshëm, pasi kundërshtari mund të na ndëshkojë në çdo moment. Shpresoj të jemi në një ditë të mirë dhe të marrim pikë”, – u shpreh fillimisht kapiteni.
Kosovarët I pyetur për faktin se te Zvicra luajnë 5 kosovarë, Cana dha këtë përgjigje: “Sigurisht, do të doja që ata lojtarë të ishin pjesë e ekipit tonë, por tani i kemi kundërshtarë dhe nuk mund t’i quajmë ndryshe. Në këto kushte, kosovarët që luajnë për Zvicrën i shikojmë thjesht si kundërshtarë, prandaj do të përpiqemi që të mos ndikohemi nga zgjedhja e tyre. Ndeshjen nuk mund ta shikojmë si hakmarrje ndaj këtyre futbollistëve, por do të luajmë dhe do mundohemi t’i mposhtim ata. Në Luzernë do të kemi mbështetjen e tifozërisë, e cila parashikohet të jetë e shumtë”.
Motivimi Në vijim të deklaratës së tij, Cana i ka bërë thirrje skuadrës që të impenjohet 100% për këtë ndeshje. “Duhet të jemi gjatë gjithë 90 minutave të kujdesshëm, pasi kundërshtari është i një niveli të lartë dhe mund të na ndëshkojë atëherë kur nuk e presim. Pavarësisht se Zvicra është një skuadër e madhe, ne kemi besim se do të luajmë një ndeshje dinjitoze. Do të bëjmë të pamundurën për të marrë një rezultat pozitiv”, – përfundoi mbrojtësi kuqezi.
Hyka: Na kënaq një barazim me Zvicrën
Duke qenë se luan me Lucernën, skuadrën e qytetit ku zhvillohet ndeshja kualifikuese Zvocër-Shqipëri, Jahmir Hyka ka qenë i preferuari i medias helvete. Duke folur për “sport.ch”, shtatshkurtri i kombëtares kuqezi ka dhënë intervistën e mëposhtme:
Ju keni qenë pjesë e eliminatores së parë kundër Qipros, që e fituar bindshëm. Si është humori në ekipin tuaj?
Gjendja në ekipin tonë kombëtar është gjithmonë e mirë. Kanë ndodhur pak ndryshime, në fakt, sepse disa lojtarë me përvojë kanë dhënë dorëheqjen kohët e fundit, ndërsa talentet e reja po vijnë në kombëtare. Euforia është e qartë, ndërsa thjesht na duhet pak më shumë kohë për të dhënë më të mirën e mundshme.
Nisur nga kjo pikënisje, a mendoni se Grupi E kualifikues është i hapur?
Sot, çdo ekip mund të luajë bukur futboll, ose të paktën të mbrohet siç duhet. Për mua, prandaj situata është mjaft e hapur në grup. Sigurisht, mund ta cilësojmë disi me lehtësi Zvicrën në rolin e të preferuarës, sepse ka shumë lojtarë të mirë, por në përgjithësi mendoj se të gjitha ekipet kanë një shans për dy vendet e para.
Shpresoni me të vërtetë se mund të merrni edhe ju pjesë në Brazil?
Natyrisht! Kjo është ëndrra ime dhe e cdo shqiptari. Duam të luajmë në finalet e një Kupe Bote ose të Kampionatit Evropian. Çdoherë kemi pasur një ekip të rangut të lartë, me një emër të madh, në grup. Këtë herë nuk është kështu, kështu që shpresojmë se edhe ne do të kemi një mundësi. Është e vështirë, nuk ka dyshim, por ne do të përpiqemi të bëjmë të pamundurën.
Sa e rëndësishme për ekipin tuaj është një fillim i mirë?
Kjo është e rëndësishme për të gjitha ekipet. Nuk mund ta nisnim më mirë në shtëpi, aty ku kemi përparësi ndaj cilitdo kundërshtar. Janë tifozët, ata që na shtyjnë përpara. Kundër Zvicrës luajmë në transfertë, por tani e dimë se do të jetë shumë më e vështirë se me Qipron.
Kundër Zvicrës luhet në “Sëisspor Arena”. Ky fakt, a e bën edhe më të veçantë për ju ndeshjen?
Po, ky është me të vërtetë një rast i vecantë. Unë shpresoj ta kem me vete audiencën time në Luzernë. Pastaj në Zvicër jetojnë aq shumë shqiptarë, sa do të jenë të shumtë mbështetësit në stadium. Cili është roli juaj në kombëtare? Mbani mbi fanellë numrin 10, që është sigurisht një nxitje e madhe…
Kjo është e drejtë, në lojërat e fundit kam mbajtur gjithmonë numrin 10, i cili është i bukur dhe domethënës. Në fakt, gjithmonë kam kërkuar ta mbaj këtë numër. Trajneri më aktivizon në krahë të mesfushës, por më pëlqen të luaj në mesfushë, sepse aty kam më shumë liri. Dua të saktësoj dicka: fakti që mabj numrin 10 në kombëtare nuk do të thotë se unë jam ylli.
Ju drejton në kombëtare një italian, De Biazi. E keni shfrytëzuar këtë gjë për të përfituar diçka sa i përket përvojës së tij?
Futbolli italian është i njohur mirë për taktikat e tij mbrojtëse, ndërsa ne kemi nevojë për këtë. De Biazi po këmbëngul të na kolaudojë faktikisht, dicka që na ka munguar më përpara, sigurisht. Deri tani ai e ka bërë shumë mirë punën e tij, por me kalimin e kohës kjo do të na bëjnë edhe më të vendosur në fushën e lojës.
Çfarë mund të na thoni në lidhje me pikat e forta të ekipit tuaj?
Ne duhet të jemi realistë: sigurisht kemi më pak cilësi se Zvicra, por si grup nuk jemi edhe aq dobët në raport me ekipet e tjera të grupit. Të gjithë punojmë për njëri-tjetrin dhe kësisoji kemi një kolektiv të fortë. Shqiptarët dhe ne kemi një zemër të madhe, ndaj gjithmonë japim gjithçka kur luajmë për vendin tonë.
Çfarë stili loje mund të presim nga ekipi juaj?
Fuqitë tona do të përqendrohen me siguri në mbrojtje. Në qoftë se do të kemi topin në zotërim, do të përpiqemi për të dalë në kundërsulm të shpejtë dhe për të pasur sukses në finalizim.
Ju jeni një nga tre lojtarët shqiptarë, që luani në Zvicër. A i keni treguar dicka më shumë për kundërshtarin e radhës trajnerit tuaj?
Jo, jo, unë me siguri nuk jam spiun (qesh)! Edhe pse kam folur tashmë me trajner për këtë gjë, duhet të dini se shumica e lojtarëve të kombëtares sonë luajnë jashtë vendit. Pastaj, njohja e Zvicrës është bërë në rrugë të ndryshme nga trajneri, ndaj informacioni im në këtë drejtim nuk është se sjell dicka më shumë. De Biazi i ka parë të gjitha miqësoret që ka luajtur Zvicra kohët e fundit, kështu që e di mirë potencialin e të gjithë lojtarëve tuaj dhe cilësinë e ekipit.
Si mund ta parashikoni ndeshjen në Zvicër?
Zvicra ka ndoshta shanset më të mëdha në grupin tonë. Shumë lojtarë të saj janë duke luajtur në ligat kryesore evropiane dhe në klube prestigjioze. Prandaj, Zvicra është favorite në këtë ndeshje, ashtu sikurse është edhe në grupin tonë.
Si e vlerësoni shanset tuaja për të martën?
Më parë problemi ynë ka qenë gjithmonë të luajturit jashtë, sepse jemi paraqitur shumë mirë në shtëpi. Ne do të luajmë në mbrojtje, por mund të jemi të rrezikshëm në kundërsulm. Unë shpresoj se mbështetja e shumë prej bashkatdhetarëve tanë të na sjellë frymën e një loje si në shtëpinë tonë, në Shqipëri. Pra, kjo është e mirë, sepse ka shumë shqiptarë që jetojnë në Zvicër, por kësaj here do të bëjnë tifo kundër saj (qesh). Ne kemi ardhur në Lucernë për të marrë një rezultat të mirë.
Dhe çfarë do të konsideronit një rezultat të mirë?
Ne duam që të mos humbim. Unë mendoj se duke qenë shumë shqiptarë në stadium, anjë barazim mund të jetë i mundur.
Organizimi i tifozëve kuqezi, zbulohet mesazhi në fanellë
“Nëna më ka thënë: o bir, emrin ta kam vënë Ilir. Mos u shit për frank e dollarë, mos harro që je shqiptar!”. Ky është mesazhi i tifozëve kuqezinj, që dje ka bërë xhiron e rrjeteve sociale në internet. Interesimi i jashtëzakonshëm i tifozëve për të ndjekur ndeshjen Zvicër-Shqipëri, ka sjellë edhe një risi për sa i përket fanellës që ata do të mbajnë veshur në stadiumin e Luzernës. Grupimet e ultrasve kuqezinj, që mbështesin rregullisht Kombëtaren, kanë nisur përgatitjet. Në stadiumin e Luzernës “Suisspor Arena” pritet të ketë një dekor mbresëlënës, i gjithë në ngjyrat kuqezi. Mes të veçantave është edhe fanella e përgatitur enkas për përballjen Zvicër-Shqipëri. Tifozët mundohen të prekin sadopak fenomenin që ka ndodhur me lojtarët shqiptarë që nuk luajnë për ekipin kuqezi, por kanë zgjedhur të përfaqësohen me kombëtare të tjera. Në rastin konkret, kundërshtari i radhës për kuqezinjtë, Zvicra, ka në gjirin e saj pesë kosovarë.
Përvjetori – Grupimi i njohur “Tifozët Kuq e Zi” do të festojë në Zvicër 8-vjetorin e themelimit. Dje, në faqen zyrtare të këtij grupimi ishte vendosur ky lajmërim: “Festimi i përvjetorit të 8-të të TKZ-së do të mbahet ditën e ndeshjes (e martë, 11 shtator), duke filluar nga ora 14:00 në parkingun para stadiumit, ku edhe do të luajmë kundër Zvicrës. Le të fillojë festa kuqezi. Ju mirëpresim!”. Ndërkohë, mendohet se në stadiumin e Luzernës do të ketë mbi 7 mijë tifozë shqiptarë, të cilët kanë prerë biletat.
Ndryshon formacioni, do luhet me 1 sulmues
Zvicra nuk është Qipro, ndaj dhe rreshtimi i lojtarëve do të ndryshojë. Të paktën kështu ka lënë të kuptohet trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi, në seancën e djeshme stërvitore. Kuqezinjtë pritet të luajnë me 5 mesfushorë dhe një sulmues të deklaruar. Dje trajneri provoi Sadikun të vetëm, por duket se ky i fundit është në balotazh me sulmuesin Bogdani, i cili në fakt ka probleme fizike. Stërvitja e fundit e Kombëtares në tokën shqiptare startoi në orën 18:00. Seanca ka nisur me lëvizje me top dhe kuadrate mes lojtarëve. Menjëherë pas nxemjes, De Biazi e ndau skuadrën në dy pjesë, për të vazhduar me disa minuta lojë brenda familjes, e cila në përfundim të saj u mbyll 0-0.
Mesfusha Në ndeshjen me Zvicrën pikësynimi i De Biazit është “të blindojë” mesfushën, prandaj dje në skuadrën e parë u përfshi Agolli, ndërsa nuk bënte pjesë në formacionin që filloi takimin me Qipron sulmuesi Salihi. Ujkani në portë, Dallku, Cana, Mavraj e Lila në mbrojtje; Vila, Bulku, Kukeli, Meha dhe Agolli në mesfushë, si dhe Sadiku në sulm përbënin formacionin kuqezi. Numri një i pankinës kuqezi vuri në zbatim skemat gjatë lojës, teksa Meha u pa në qendër të mesfushës, kurse Agolli në rolin e një mesfushori të majtë.
Taktika Skuadra pritet të vendoset pak më e tërhequr se ndeshja ndaj Qipros. Kjo u kuptua edhe gjatë stërvitjes së djeshme, ku De Biazi po përgatit një strategji të veçantë për të goditur helvetët. Dhe gjithçka fshihet pas “trurit” të skuadrës, Meha. Plani i trajnerit është të përdorë saktësinë e Mehës në goditjet standarde. Për rreth 15 minuta tekniku ka punuar me mesfushorin, duke e urdhëruar atë të praktikonte disa goditje nga jashtë zone. Mesfushori është treguar i saktë në thuajse 80% të goditjeve, të cilat do të jenë arma me e fortë e Kombëtares ndaj Zvicrës. Ndërkohë, De Biazi ka mbetur i mrekulluar nga saktësia e lojtarit kosovar. Tashmë ky i fundit do të luajë në pozicionin e tij të preferuar, në ndryshim nga ndeshja me Qipron, ku iu desh të bënte edhe pozicionin e mesfushorit të majtë. Me rikthimin e Agollit nga dënimi, mesfusha kuqezi bëhet më e fortë. Mbrojtja me shumë forca dhe kundërsulmi i shpejtë do të vihen në zbatim në Zvicër.
Kombëtarja, FSHF nuk jep premio
Në ndryshim nga edicionet e kaluara, kur institucioni i futbollit shqiptar i ka shpërblyer lojtarët e Kombëtares në rast rezultatesh pozitive, këtë herë pritet që premiot të mungojnë për kuqezinjtë. Burime në FSHF konfirmojnë për “Panorama Sport”, se Komiteti Ekzekutiv nuk ka marrë ndonjë vendim për sa i përket shpërblimit që mund t’i jepet Kombëtares për dy ndeshjet e para. Shqipëria fitoi ndaj Qipros 3-1 dhe tashmë do të luajë me Zvicrën. Një pikë ndaj kësaj të fundit do të thoshte objektiv i realizuar për kuqezinjtë sa i përket startit të kualifikuesve. Mirëpo, edhe pse drejtuesit e FSHF-së kanë vendosur se nuk do të ketë premio, nuk përjashtohet mundësia që të merret një vendim i dytë. Ndoshta federata pret të shikojë njëherë paraqitjen e përfaqësueses në Zvicër. Një rezultat pozitiv mund të bëjë që situata të ndryshojë dhe institucioni i futbollit të zgjidhë qesen. Në edicionet e kaluara, lojtarët kuqezinj kanë marrë nga 3 mijë euro për kokë në rast fitoresh. Ndërkaq, Federata e Zvicrës ka njoftuar pak ditë më parë se do t’i shpërblejë lojtarët e saj me nga 9 mijë euro, nëse arrijnë të mposhtin të martën Shqipërinë.
Ja bastet për sfidën
Zvicra vlerësohet si superfavorite për të mposhtur Shqipërinë në ndeshjen e së martës. Sipas kompanive më të mëdha të basteve në Evropë, triumfi i helvetëve kuotohet me 1.35. Ndërkohë, barazimi në këtë sfidë ka koeficientin e lartë 4.69. Nga ana tjetër, një fitore e Shqipërisë, e cila për bastvënësit konsiderohet si blof, ka koeficientin 8.83. Nga ana tjetër, kompanitë e basteve parashikojnë se rezultati më i mundshëm do të jetë 1-0.Gjykon një… farmacist
Ndeshja Zvicër-Shqipëri, e vlefshme për Grupin E, do të zhvillohet të martën në orën 20:30 në stadiumin “Suisspor Arena” të Luzernës. FIFA ka publikuar dje edhe gjyqtarët e kësaj sfide. Do të jetë një treshe rumune, me kryesor Ovidiu Hatengan. Bëhet fjalë për një 32-vjeçar, i cili është farmacist në profesion. Hategan ka që nga viti 2008 që ka marrë stemën e FIFA-s. Asistentë të tij do të jenë Zoltan Sekeli dhe Oktavian Sovre.
KAMPI ZVICERIAN
Behrami: Jam shqiptar, Zvicrës i detyrohem gjithçka
Valon Behrami, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, tre shqiptarë etnikë, pjesë e formacionit titullar të kombëtares së Zvicrës, ndërsa dy të tjerë, Mehmedi dhe Xhemaili, do ta presin shansin e tyre të aktivizimit nga stoli. Ata do të përjetojnë një ndeshje të veçantë nesër në në stadiumin e Lucernës, duke luajtur kundër Shqipërisë. Kështu shkruajnë mediat helvete, duke iu referuar një detaji që e ndez akoma më shumë kualifikuesen e dytë në Grupin E, mes Zvicrës dhe Shqipërisë, e cila do të luhet të martën në mbrëmje, në orën 20:30.
…..Nuk do të jetë e lehtë për t’i shpëtuar realitetit, për të harruar rrethanat, të mbyllë sytë. Ai nuk do ta konsiderojë përballjen e së martës në mbrëmje si një ndeshje më shumë në karrierën e vet në kombëtaren helvete, por si një emocion të veçantë. Kërkon suksesin e plotë në kualifikuesen e dytë në grup për Kupën e Botës 2014, pas një fillimi të shkëlqyer në Slloveni (2-0). Pyetjet personale pastaj zhduken në çrregullimin shpitrëror të Valon Behramit, si një shqiptar i Kosovës.
Jo më pak emocionues është kjo përballje për Shaqirin, Xhakën, Mehmedin dhe Xhemalin, tre shqiptarë nga Kosova dhe dy të tjerë nga Maqedonia. Duhet të luajnë për herë të parë një takim kundër origjinës së tyre, si pjesë e kombëtares zvicerane, sepse fati kurioz i solli familjet e tyre në këtë vend, ku edhe janë integruar për bukuri.
Historia e integrimit
Historia e Valon Behramit është tregues i Zvicrës multikulturore, e cila është ndërtuar me pasuri të reja, si një shans për zgjedhjen e të rinjtë të gjeneratës së dytë, që e shohin atdheun e tyre për të hapur fushën e mundësive. Behrami, lojtar i Napolit tani për tani, ishte 5 vjeç kur prindërit e tij u larguan nga Kosova në vitin 1990, për t’iu larguar konfliktit të dhunshëm që tronditi provincën, kundër sfondit të luftës mes Serbisë dhe shqiptarëve.
Valon Behrami erdhi në Ticino, por familjes së tij i është dashur të presë katër vjet para se të marrë azil. Ajo ka pasur edhe një peticion të nënshkruar nga mbi 2000 njerëz për të mbështetur kërkesën. Pastaj, një horizont i ri u hap para tij. Jo, kjo nuk mund të harrohet nga Valon Behrami.
Valon Behrami, ne dyshojmë se kjo kundër Shqipërisë është domosdoshmërisht një takim posaçërisht për ju …
Eshtë shumë i veçantë. Aq i çuditshëm jo vetëm për mua, për edhe për shokët e mi, edhe katër të tjerë me origjinë shqiptare. Çfarë mund të them? Ne jemi profesionistë, duhet të përqendrohemi për të dhënë më të mirën me Zvicrën. Por kjo do të jetë një ndeshje e çuditshme, gjithsesi, për ne.
Shqiponja ne kemben e Behramit
Ju, si shqiptar, keni si tatuazh shqiponjën në këmbën e djathtë, flamurin e Kosovës, si dhe flamurin e Zvicrës në krahun e majtë: e gjitha kjo, çdo të thotë për ju?
Shqiponja është një tatuazh i pas luftës, si një shenjë solidariteti me shqiptarët e Kosovës, për të gjitha vuajtjet e tyre. Po, kjo është një pjesë e imja, që nuk e mohoj. Jam një futbollist profesionist, kam gjithçka që dua në jetën time tani, por s’mund ta harroj se nga kam ardhur dhe kush jam unë. Origjina më jep forcë, ajo është gjithashtu një faktor inspirues në stilin tim të lojës.
Nëse keni nevojë për të përcaktuar se kush është Valon Behrami, çfarë do të thoni?
Unë jam një lojtar ndërkombëtar i ekipit të Zvicrës dhe kjo është e qartë. Jetoj në Zvicër, pas karrierës time jashtë vendit, vajza ime do të rritet në Zvicër. Jam shqiptar nga origjina, por është Zvicra, së cilës i detyrohem për gjithçka. Dhe unë nuk do ta harroj kurrë mbështetjen dhe mundësitë që më krijoi ky vend. Në fakt, do të thoja se zemra ime është gjysmë zvicerane dhe gjysmë shqiptare e kosovare, por këmbët e mia, krahët e mi, trupi im gjithmonë do të japin gjithçka për Zvicrën. Sepse ky vend ka bërë një punë të madhe për integrimin tim si futbollist, por edhe të familjes sime. Këtu kam përfituar përtej të gjitha pritshmërive të mia. Vendimi për të luajtur për Zvicrën, në fund të fundit ishte i thjeshtë: Zvicra ka ndryshuar jetën time dhe të familjes sime. Kjo zgjedhje ishte logjike.
Si mendoni ju se perceptohet nga mbështetësit shqiptarë fakti që ju zgjodhët për të luajtur për Zvicrën?
Ndeshja në Tiranë me siguri do të jetë më e komplikuar për mua dhe katër shokët e mi, që janë në të njëjtën situatë. Unë nuk e di se çfarë do të ndodhë në Lucernë, të martën në mbrëmje, por dua të besoj se mbështetësit shqiptarë, shumica e tyre, do të jetë krenar për mua. Jam njëri prej tyre me zemër, një shembull se ku mund të arrish duke punuar. Nuk është momenti këtu për të treguar se njerëzit nga Shqipëria janë duke punuar shumë në Zvicër, për të arritur dicka, si puna ime. Nganjëherë dëgjojmë edhe gjëra negative rreth shqiptarëve këtu, por në qoftë se ka njerëz të këqinj, si kudo, me shembullin tim dua të tregoj se shumica e shqiptarëve në Zvicër janë njerëz të e thjeshtë dhe të ndershëm.
Po familja juaj, si po e përjeton këtë ndeshje?
Gjithkush është krenar për mua. Situata e familjes nuk është më e komplikuar se kaq. Unë kam të gjithë familjen time në Zvicër: nëse ajo është e lumtur, edhe unë jam po i tillë. Pas kësaj qëndron gjithmonë në mjedis, disa njerëz që nuk e kuptojnë pse unë luaj për Zvicrën. Por në thelb, kjo nuk është problem i madh…
Hitcfeld: Shqipëria s’ka asgjë për të humbur
Prania e pesë kosovarëve në kombëtaren që drejton, polemikat që ka krijuar ky fakt në prag të ndeshjes kualifikuese të së martës mbrëma në Lucernë, duket se e zhvendosur disi vëmendjen e gjermanit Otmar Hicfeld. Ky I fundit, duke folur në konferencën për shtyp para sfidës, i ka paralajmëruar të tijtë për të qenë të përqendruar, të tregojnë kujdes përballë një kundërshtari si Shqipëria, sepse kuqezinjtë nuk janë aspak për t’u nënvlerësuar.
“Temën e shqipëtarëve të Kosovës e kemi diskutuar shpesh në skuadër. Për këta lojtarë ndeshja do të jetë speciale, nuk diskutohet. Sigurisht, do të na duhet të perballemi edhe me vërshëllimat e tifozëve shqiptarë, të cilët do të jenë të shumtë në numër në stadium. Priten më shumë se 6000 shqipëtarë, por ne shpresojmë që zërat e zviceranëve të jenë më të fortë se të shqipëtarëve. Shqipëria është një skuadër e vendosur mirë taktikisht në fushën e lojës, luan me patos dhe nuk ka asgjë për të humbur. Prandaj, mendoj se do të na vendosin në një presion të madh, duke pasur edhe një karikim ekstra nga tifozët e pranishëm në “Sëisspo Arena”. Shpresoj që ta kontrollojmë ndeshjen kundër Shqipërisë dhe të jemi ne, ata që diktojmë ritmin e lojës”, – ka thënë ndër të tjera Otmar Hitcfeld në konferencën për shtyp, të zhvilluar paraditen e së hënës në mjediset e stadiumit ku do të zhvillohet ndeshja Zvicër-Shqipëri
6000 shqiptarë në stadiumin e Luzernës
”Një betejë e nxehtë për ekipin kombëtar helmet pritet të martën në “Swisspor Arena”, në Luzernë (ora 20:30). 6000 tifozë shqiptarë, që pritet të jenë aty të pranishëm, do t’i bëjnë shpirtrat e lojtarëve në fushën e lojës edhe më të ndezur. Shaqiri & CO duhet të presin provokime dhe vërshëllima.” Kështu e nis shkrimin e vet e përditshmja zvicerane “Blick”, e cila e shtjellon më tej argumentin e vet, që ka të bëjë me praninë e pesë lojtarëve shqiptarë të Kosovës në radhët e kombëtares së drejtuar nga gjermani i njohur, Otmar Hitcfeld: “Shqipëria është një kockë e madhe. Biletat e ndeshjes janë shitur edhe jashtë Zvicre. Dmth, janë blerë nga shqiptarë që punojnë e jetojnë në këtë vend. 16.500 tifozët që do të mbushin “Arena Swisspor” të Luzernës, do të kenë mes tyre të paktën 6000 shqiptarë, që do të mbështesin kombëtaren e tyre. Dicka që ka shqetësuar disi edhe trajnerin Otmar Hitcfeld: “Ne duhet të jemi të përgatitur për këtë, sepse do të kemi gati gjysmën e stadiumit kundër, edhe pse luajmë në fushën tonë.”
Me dy zemra në kraharor do të paraqiten Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami, Blerim Xhemali dhe Admir Mehmedi. Pesë lojtarë zviceranë, me rrënjë shqiptare, janë një fokus të veçantë të interesit.
“Unë mendoj se publiku do të na provokojë, – paralajmëron Granit Xhaka. – Ne jemi me fat që nuk do të luajmë në Bazel. 30000 shqiptarët atje me siguri do të kishin ardhur në stadium.”
Gjithashtu, për yllin e Bajernit të Mynihut, Xherdan Shaqiri, është një ndeshje shumë e veçantë. “Unë do të dëgjoj dy himne para fillimit të lojës. Që të dy shumë emocionalë”, – nënvizon Shaqiri.
Blerim Xhemali, nga ana tjetër, përpiqet ta marrë me qetësinë e mundshme këtë kualifikuese: “Për ne është disi e vështirë, gjithsesi, sepse do të ketë shumë shqiptarë të pranishëm në një ndeshje që e luajmë në shtëpi. E rëndësishme është që të harrojmë çdo gjë që ndodh përreth stadiumit.”
Të pesë zviceranët me rrënjë shqiptare do të provokohen nesër, ndoshta jo vetëm nga publiku, por edhe nga lojtarët e tyre kundërshtarë. Kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana, është konsideruar “prijësi” i kombëtares kuqezi, ndërsa tashmë ai i ka drejtuar “shigjetat me helm” kundrejt Shaqiri & CO. “Lojtarët që kanë vendosur të luajnë për Zvicrën nuk më interesojnë aspak. Në fushën e lojës ata janë “armiq”, – thotë Cana.
Nëse pesëshja luan për kombëtaren zvicerane, ata shpesh flasin shqip, ndjehen të lidhur me këtë kulturë, ndërkohë që Xhaka thotë se, në fakt, shqiptarët i konsiderojnë “të huaj”. “Në Shqipëri njerëzit më konsiderojnë si një zviceran, ndërsa këtu në Zvicër më thonë që jam shqiptar.” Për disa në Shqipëri ne jemi tradhtarë”, – thotë Xhaka.
Këto ditë, kapiteni i kuqezinjve, Lorik Cana, është shfaqur agresiv në “Youtube”, gjatë një sekuence tepër nacionaliste, në fund të ndeshjes së kaluar me Bjellorusinë. Ai shfaqet me një mikrofon në dorë teksa u flet me trup të zhveshur mbështetësve në stadium. Duke u treguar tatuazhin e Iliridës në sup, Lorik Cana shigjeton indirekt “tradhëtarët”, që kanë preferuar të mos luajnë për kombin e tyre. Paralelizmi ka të bëjë me Xhakën, Shaqirin, Xhemailin, Mehmedin dhe Behramin, të cilët vendosën të luajnë për Zvicrën.
Ky debat në internet ndoshta bëhet për ta acaruar situatën përpara lojës në Luzernë, por Xherdan Shaqiri thotë: “Nuk diskutohet, kjo për ne është një ndeshje emocionale. Por ama luhet vetëm për të fituar tri pikë.”
HISTORIA
Në Zvicër, për të thyer një tabu
Nëse do t’u referoheshim statistikave, Kombëtarja jonë nuk do kishte as më të voglin shans për të marrë rezultat në ndeshjen e dytë të kualifikimeve. Po, pasi në 90 për qind të rasteve në takimin e dytë kemi humbur, ose më mirë pas dy ndeshjeve të para nuk kemi mundur të marrim asnjëherë 6 pikë të plota, pra dy fitore. Madje, nëse shkojmë paksa larg në kohë, në periudhën e hershme të viteve ‘60-‘70, do vërejmë se rezultatet e kuqezinjve janë gati të frikshëm pasi njohim veçse humbje, në mjaft raste edhe me rezultate të thella. Kështu, nuk kemi marrë qoftë edhe një barazim në ndeshjen e dytë kualifikuese që nga prezantimi i parë në kualifikimet e Evropianit të 1964-ës e deri në kualifikimet e Evropianit “Francë 1998” (humbnim 0- 3 me Portugalinë dhe barazonim 1-1 me Armeninë në ndeshjen e dytë). Sakaq mund të krenohemi, por edhe shpresojmë dhe kemi të drejtë të besojmë, se ndryshimi mund të vijë në ndeshjen e kësaj të marte ndaj Zvicrës. Në fakt, në dy kualifikimet e fundit për Botërorin “Afrikë e Jugut 2010” dhe për Evropianin “Poloni-Ukrainë 2012”, Kombëtarja shqiptare ka bërë një start të mirë, duke grumbulluar katër pikë: një fitore dhe një barazim. Në shtatorin e 2008-ës, nën drejtimin e holandezit Ari Han, kuqezinjtë morën një barazim të vuajtur, por tejet të merituar me Suedinë e Zlatan Ibrahimoviçit në “Qemal Stafa”. Ndërsa, katër ditë më vonë, në të njëjtin impiant mundëm 3-0 Maltën, duke u renditur në vend të parë në grup. E njëjta gjë pak a shumë edhe në shtatorin e 2010-ës, nën drejtimin e Josip Kuzhesë, por me një ndryshim më thelbësor: kuqezinjtë barazojnë 1- 1 në tranfertë ndaj një skuadre si Rumania (gol i Muzakës) dhe më pas vijnë e fitojnë në Tiranë me Luksemburg 1- 0 (gol i Bogdanit). Nisur nga këto starte pozitive deri-diku, shpresohet që këtë herë Shqipëria të bëjë hapin e madh, duke thyer edhe një tabu gjysmëshekullore: fitimin e dy ndeshjeve radhazi. Edhe pse në pamje të parë duket si e pamundur, duke qenë se Zvicra është edhe skuadra favorite e grupit tonë, vlen të thuhet se takimi do të zhvillohet në stadiumin e Luzernës, ku parashikohet që më shumë të ketë tifozë shqiptarë (emigrantë që jetojnë dhe punojnë në Zvicër) sesa zviceranë. Përveç kësaj, emrat që ka në organikë skuadra helvete, edhe pse luajnë në kampionate më elitare sesa futbollistët tanë, përsëri nuk janë të një lartësie sikundër për shembull Franca, apo Portugalia e Danimarka, kundërshtare në dy edicionet e shkuara.
Statistikat, helvetët superiorë ndaj kuqezinjve
shqipëri-Zvicër dhe anasjelltas ka pak histori, më së shumti për skuadrën tonë, e cila nuk ka shkuar më shumë se një barazim në katër sfida. Tri të tjerat janë fituar nga skuadra helvete, e cila ka treguar edhe superioritet të dukshëm karshi përfaqësueses sonë, sidomos në ndeshjen e parë të zhvilluar në Tiranë më 11 prill të 1965-ës për kualifikimet e Botërorit “Angli 1966″. Zviceranët fitonin 2-0 falë golave të Kuentit në minutën e 34-t dhe Kuhnit në minutën e 90-të me penallti. Po, ky i fundit dhe sërish me penallti do na ndëshkonte edhe në ndeshjen e kthimit më 2 maj të atij viti në Gjenevë. Megjithëse, me një ndryshim thelbësor, kuqezinjtë, të paktën referuar komenteve të shtypit të kohës, bënë një lojë shumë më të mirë. Pas këtyre dy takimeve, duheshin pritur 37 vite për të parë një tjetër sfidë mes këtyre dy skuadrave. Më 12 tetor 2002 kombëtarja jonë, e drejtuar nga Xhuzepe Dosena, do të barazonte 1-1 në Tiranë falë golit të Edvin Muratit (për helvetët shënonte Jakin 37′). Ndërsa në ndeshjen e dytë në Gjenevë, vendësit do fitonin 3- 2 falë golave të Has 10′, Frei 32′ dhe Kabanas 71′. Për kuqezinjtë shënonin Altin Lala 22′ dhe Ervin Skela 86′.
GRUPI E
(SHQIPERI, Islandë, Norvegji, Zvicër, Slloveni, Qipro)
07.09.2012
Islandë-Norvegji 2-0
SHQIPERI-Qipro 3-1
Slloveni-Zvicër 0-2
11.09.2012
Qipro-Islandë
Norvegji-Slloveni
Zvicër-SHQIPERI
12.10.2012
SHQIPERI-Islandë
Slloveni-Qipro
Zvicër-Norvegji
16.10.2012
Qipro-Norvegji
Islandë-Zvicër
SHQIPERI-Slloveni
22.03.2013
Slloveni-Islandë
Zvicër-Qipro
Norvegji-SHQIPERI
07.06.2013
SHQIPERI-Norvegji
Qipro-Zvicër
Islandë-Slloveni
06.09.2013
Zvicër-Islandë
Norvegji-Qipro
Slloveni-SHQIPERI
10.09.2013
Islandë-SHQIPERI
Norvegji-Zvicër
Qipro-Slloveni
11.10.2013
Slloveni-Norvegji
Islandë-Qipro
SHQIPERI-Zvicër
15.10.2013
Norvegji-Islandë
Qipro-SHQIPERI
Zvicër-Slloveni