Më 11 shtator përfaqësuesja shqiptare e futbollit përballet me përfaqësuesen e Zvicrës në kuadër të eliminatoreve për botërorin, Brazil 2014.
Interesi i tifozëve duket se është i jashtëzakonshëm, por, jo të gjithë ata që do të duan ta ndjekin këtë ndeshje nga shkallët e stadiumit të Luzernës, në Zvicër do të kenë mundësinë për tu pajisur me një biletë, për shkak të numrit të vogël që Federate Zvicerane e Futbollit ka vënë në dispozicion të tifozërisë shqiptare.
Këtë e kanë konfirmuar edhe grupimi më i madh i tifozëve shqiptarë, “Tifozat Kuq e Zi”. Duke folur për sport.info, Flakëron Abazi, përfaqësues nga Prishtina i Tifozave Kuq e Zi, njëherësh edhe njëri nga organizatorët e udhëtimit për ndeshjen Zvicër – Shqipëri, tregon se për shkak të interesimit të madh, Tifozat Kuq e Zi do të organizojnë udhëtim me autobus nga Prishtina dhe Tirana, për në Luzern.
Tifozat Kuq e Zi kanë pohuar se janë vetëm 1200 bileta në dispozicion të shqiptarëve, nga 17.000 mijë vende që ka stadiumi Luzernës. Një taktikë e cila po ndiqet nga shqiptarët që jetojnë në Zvicër, është blerja e biletës duke paraqitur pasaportën zvicerane.
Udhëtimi i tifozëve nga Prishtina dhe Tirana do të bëhet në datën 9 shtator. Çmimi për këtë udhëtim është 270 euro, në të cilin përveç transportit vajtje-ardhje përfshihen edhe 2 netë fjetje në hotel dhe bileta e ndeshjes.
Tifozat Kuq e Zi nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Zvicër kanë zhvilluar një sërë takimesh me autoritetet zvicerane rreth akomodimit të tifozëve shqiptarë dhe sigurisë që ata do të kenë gjatë qëndrimit të tyre në Luzernë.
Koreografia e përgatitur për ndeshjen do të jetë një tjetër befasi, paralajmërojnë Tifozat Kuq e Zi. Sipas tyre, më 11 shtator Luzerni do të vishet nga ngjyrat kuq e zi.
“Një gjë është e sigurtë, Luzerni me 11 shtator do t’i ketë vetëm dy ngjyra, Kuq e Zi” – shprehet, Flakëron Abazi, përfaqësues nga Prishtina i Tifozave Kuq e Zi.
Përballja e Shqipërisë me Zvicrën ka zgjuar një interes të jashtëzakonshëm për shkak edhe të përbërjes së ekipit kombëtar helvet, ku në përbërje janë disa shqiptarë, mes tyre Xherdan Shaqiri, ylli i ri i Bajernit të Mynihut, apo Xhaka, Behrami, Xhemajli etj.